Çmimi i gazit rritet me 20% edhe për familjarët

gazi
Çmimi i gazit rritet me 20% edhe për familjarët

Gazi i lëngshëm për ngrohje po shitet mesatarisht 20% më shtrenjtë në këto ditë të para të vitit, si rezultat i taksave të reja dhe rritjes së kërkesës siç shpjeguan disa nga distributorët e shitjes me pakicë.

Një litër gaz kushtoi sot 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 52 lekë që ishte dje. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve. Në pikat e autorizuara çmimi është edhe më i shtrenjtë, duke variuar nga 80-85 lekë për litër.

Çmimi ndryshoi masivisht sot në të gjitha pikat e shitjes, dhe tregtarët me pakicë shpjeguan se janë rritur taksat.

Më 1 janar, hyri në fuqi Paketa e re Fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu po sillet në mënyrë abuzive me rritjen e taksave pasi çmimi është rritur në mënyrë uniform edhe për përdoruesit familjarë.

Por rritja e taksave duket se nuk është shkaku i vetëm. Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve dhe lajmërimet për ditë më të ftohta në vijim e kanë rritur dukshëm kërkesën për gaz e për rrjedhojë, distributorët po e shfrytëzojnë këtë situatë duke rritur çmimin.

Gjithashtu nuk po funksionojë pikat e autorizuara për furnizimin me gaz për përdorim familjar. Më herët, më 2016, Ministria e Energjetikës, për të mënjanuar aksidentet nga bombolat e gazit, autorizoi pikat të posaçme për shitjen e gazit.

Pikat janë të licencuara dhe ofrojnë edhe shërbimin e kolaudimit për bombolat. Fillimisht pikat u përballën me një kërkesë të lartë, pasi karburantet nuk u lejuan më të furnizonin familjarët. Për shkak të kufizimeve në furnizim, çmimi i gazit në pikat e autorizuara u rrit në 80 lekë për litër, gati 30 lekë më shumë.

Për shkak të çmimit të lartë, furnizimi në pikat e autorizuara nuk rezultoi shumë jetëgjatë, pasi karburantet kanë rinisur të furnizojnë familjarët në masë, dhe tashmë edhe me çmime më të rritura./Monitor

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Artikull i Rekomanduar:
mamaqi3
“Xing me Ermalin” akuza për Mamaqin/Lojë e ndytë e televizioneve

Close