Shëndetësia falas një mashtrim/Shqiptarët paguan 172 milionë euro për t’u kuruar

rama-beqaj
Shëndetësia falas një mashtrim/Shqiptarët paguan 172 milionë euro për t’u kuruar
Shëndetësia falas ishte një nga kartat më të forta me të cilën mazhoranca aktuale erdhi në pushtet. Gjithsesi, gjithçka duket se ka qenë një demagogji pasi situata duket e njëjtë në mos më keq nga viti 2013. Pavarësisht shumave të mëdha financiare të paguara në formën e koncesioneve nga qeveria, sipas statistikave të INSTAT, përsëri shqiptarët kanë paguar shifra të mëdha për t’u kuruar. Familjet shqiptare shpenzuan rreth 172 milionë euro nga xhepi për t’u kuruar gjatë vitit 2016. Shifra është bërë publike nga Instituti i Statistikave në anketën e buxhetit të familjeve dhe përfshin si pagesat që familjet kanë kryer për blerjen e barnave, ashtu dhe ato për të marrë shërbim shëndetësor në spitalet publike dhe private të vendit.
Sipas Institutit të Statistikave, Shëndetësia merr aktualisht 3.6 për qind të buxhetit total që familjet shpenzojnë për konsum. E përkthyer në vlerë, kjo do të thotë se çdo familje shqiptare harxhon mesatarisht 225 euro në vit për barna ose mjekim në spitalet e vendit. Banka Botërore thotë se kjo e bën Shqipërinë një nga vendet me peshën më të lartë të shpenzimeve nga xhepi për shëndetësinë. Më konkretisht, sipas saj në totalin e kostove shëndetësore, shteti në Shqipëri mbulon vetëm gjysmën e shpenzimeve, ndërsa gjysmën tjetër familjet detyrohen ta përballojnë vetë nga xhepi i tyre.
Në vendet e tjera të rajonit, pjesa e shpenzimeve për kurim që familjet paguajnë nga xhepi varion nga 11.2 për qind në Kroaci, deri në 42.8 për qind në Serbi. Kjo shifër nuk ka lëvizur shumë nga viti 2013 deri në vitin 2014, viti i parë i qeverisë së re, e cila premtoi fillimit e procesit të shëndetësisë falas. Ndonëse për vitin 2015, raporti i shpenzimeve shtet-privat nuk është bërë ende publik, 172 milionë eurot që shqiptarët shpenzuan këtë vit nga xhepat e tyre për shërbime shëndetësore tregon se, Shëndetësia universale është ende një objektiv i largët.

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Artikull i Rekomanduar:
2
Modelet ideale të flokëve për nuse

Close