Arrestohet ish-drejtori i ALUIZNI-t/Për çfarë akuzohet (Emri)

Arrestohet ish-drejtori i ALUIZNI-t/Për çfarë akuzohet (Emri)

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-drejtorin e ALUIZNI-t të këtij qyteti, Ardian Dodani. Kjo masë është caktuar me kërkesë të Prokurorisë së qytetit verior. Dodani dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në legalizimin e objekteve informale, kryesisht lokale dhe ambiente të tjera tregtare.

Në zbatim të vendimit të gjykatës, i dyshuari është arrestuar mesditën e sotme nga ana e forcave të Policisë Vendore të Shkodrës.

Nga hetimet e Prokurorisë së Shkodrës rezulton se, në të paktën 5 raste, kryesisht të vitit 2015, ish-drejtori i ALUIZNI-t të qytetit, Ardian Dodani, dyshohet se ka shkelur kuadrin ligjor që rregullon procesin e legalizimit të objekteve informale.

Në praktikat e legalizimeve, të cilat janë sekuestruar në kuadër të hetimit, Prokuroria e Shkodrës ka evidentuar se, me firmën e Dodanit, janë legalizuar objekte tregtare (bar-restorante) pranë rrugëve kryesore ose në zonën turistike të Shirokës, në të cilën nuk lejohet legalizimi.

Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës rezulton se ish-drejtori i ALUIZNI-t Shkodër, Ardian Dodani, ka nënshkruar praktikat për këto subjekte, ndërkohë që asnjë prej zyrtarëve të tjerë nuk ka nënshkruar dokumentat, sipas përgjegjësive të tyre ligjore dhe administrative.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Ardian Dodani, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Shkodër, ka konsumuar elementët e veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës”. Në këto kushte, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga gjykata dhe u ekzekutua nga ana e forcave të Policisë./CityNews

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Read previous post:
E bujshme në Gjermani / Një femër zyrtarisht gjyqtare në ligën elitare

Close