SKANDALI në FIKS FARE/ Burri i gjyqtares “mban peng” magazinën: Do e blej pas vetingut

fiksi gjykatsja
SKANDALI në FIKS FARE/ Burri i gjyqtares “mban peng” magazinën: Do e blej pas vetingut

Disa banorë nga Gramshi erdhën dhe u ankuan në “Fiks Fare” për burrin e një gjyqtareje, që u ka zënë pronën dhe nuk ua liron. Ata i kërkojnë që t’ua blejë pronën që u ka zënë, por burri i gjyqtares u thotë se do t’ua blejë sa të kalojë “Vetting”-u.

Fillimisht, familjarët e familjes Koçi dërguan një letër në redaksinë e “Fiksit”. Aty treguan se janë sorollatur në të gjitha institucionet ku kanë kërkuar të drejtën e tyre, Prokurori, Polici, Ministri e Rendit, Prokurori e Përgjithshme, por nuk çajnë dot.

Ata kanë një magazinë 300 metra katrorë në Gramsh, afër Pallatit të Kulturës së qytetit. Burri i gjyqtares, i cili ka qenë drejtor i Hipotekës së Gramshit, fillimisht ka hyrë në një pjesë të godinës me disa makineri. Pronarët duan që ta nxjerrin jashtë, por ai nuk del.

Renato Koçi, djali i pronarit të kësaj magazine shpjegon për “Fiks Fare” se, prej disa vitesh është në konflikt me Dritan Konicën, burrin e gjyqtares.

“Kohë përpara i dhamë në mirëbesim një magazinë, të cilën e kemi përfituar nga AKKP-ja. Dritan Konica na e kërkoi për ta përdorur kundrejt një qiraje modeste. Ne lidhëm një kontratë mirëbesimi, pa noter dhe ai qëndroi në të për disa kohë. Në kohën që ishte regjistrues, ne tentuam ta regjistrojmë magazinën në Hipotekë, por ai na nxirrte pretekste të ndryshme. Pasi ai iku nga ky funksion, ne e regjistruam magazinën dhe tashmë kemi certifikatën e pronësisë. Pasi morëm certifikatën i kemi kërkuar të largohet, por ai nuk pranon, sepse kërkon parà duke pretenduar se ka bërë shpenzime në disa betone jashtë magazinës. Por unë dua magazinën, ajo është e jona. Kam shkuar edhe vet për të hyrë në magazinë, por ai më kallëzoi për vetëgjyqësi dhe policia më shoqëroi. Prokuroria e pushoi çështjen ndaj meje, pasi unë nuk kisha konsumuar vepër penale. Por unë nuk mund t’i drejtohem gjykatës, pasi gruaja e tij është gjyqtare dhe unë nuk kam besim se mund të më japin të drejtë, pavarësisht se kam certifikatën e pronësisë. Kam bërë disa kallëzime, por janë pushuar. Prandaj i jam drejtuar ‘Fiks Fare’ të më ndihmojë”, shprehet qytetari Renato Koçi.

Nga ana tjetër, ai ka realizuar edhe një video me burrin e gjyqtares, ku i kërkon të gjejnë një zgjidhje, ndërkohë që Konica kërkon ta blejë. Gjithsesi, gjatë bisedës, Dritan Konica i thotë qytetarit se nuk mund të kryejë asnjë veprim pa kaluar “Vetting”-u.

“Të lutem ta bëjmë pas 3 muajsh, pasi të kalojë Vettingu. Unë kam shtëpitë në Gramsh, po m’i kërkojnë dhe nuk po bëj asnjë veprim, sepse nuk dua të humb besimin. Presim edhe këto muaj dhe e bëjmë këtë veprim”, thotë burri i gjyqtares në bisedë me pronarin e magazinës.

Ndërkohë, “Fiks Fare” kontrolloi edhe deklaratat e pasurisë së burrit të gjyqtares dhe bashkëshortes së tij në ILDKPKI, por nuk rezulton që kjo magazinë të jetë deklaruar, as si e marrë me qira, dhe as si pronë e tij. Gjithashtu, ai nuk ka deklaruar as ndonjë biznes në këtë godinë.

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Artikull i Rekomanduar:
SAIMIR TAHIRI
Fjala e Kryetarit të PS Tiranë Saimir Tahiri në hapje të fushatës

Close