Protestë e “budallenjve” më të famshëm të Korçës në breza, për kandidimin deputet të djalit të Fahriut

Protestë e “budallenjve” më të famshëm të Korçës në breza, për kandidimin deputet të djalit të Fahriut

Popullit të Qarkut të Korçës!

Po të drejtohemi ne të paharruarit Stavri Maçoku, Taqo Babuci, Dulja i Imonikëve, Rakip Gërneta,  Doktori i Luleve,  Tataçi, Peçi Bajamka, Haxhi Gala, Syrja Biçikletari, Leko Skali, Petrit Çakërri. E dimë që emrat tanë i njihni në çdo cep të Qarkut të Korçës, jo vetëm në Korçë, por edhe në Pogradec, Devoll, Kolonjë. Emrat tanë kalojnë gojë më gojë brez pas brezi. E kemi ditur që fama jonë ka qenë fama e budallait, por ne kemi qenë budallenj të padëmshëm. Nuk kemi bërë gjë tjetër veçse e kemi bërë popullin për të qeshur. Kemi qënë si të thuash budallenj të talentuar. Për të parë shfaqjen tonë nuk duhej paguar biletë si për të parë estradën. Kemi bërë estradë pa para rrugëve. Me paratë e biletës që keni kursyer, keni pirë ndonjë birrë taze nga fabrika e Birra “Korçës”. Na kini respektuar në përgjithësi, edhe kur jeni tallur me neve nuk na e kini marrë për keq.

Kemi dëgjuar që ju kanë dhënë si kandidat për deputet djalin e Fahriut dhe jemi shqetësuar shumë. Ne që e njohim njëri-tjetrin me erë siç i thonë fjalës, e kuptojmë se ky Balliu Junior është dora jonë. Nuk na gënjen dot ai ne me diplomat që ka marrë në Angli. Edhe prindërit tanë po të kishin para mund të na kishin dërguar nëpër botë nëpër shkolla që shesin diploma për fëmijët budallenj të të pasurve. Ne protestojmë me forcë kundër zgjedhjes së djalit të Fahriut deputet, dhe do ta quajmë këtë si fyerje që na bëhet të gjithë neve, nga të cilët asnjërin nuk bëtë ndonjëherë deputet. Ç’ është e vërteta as ne nuk kandiduam, por ama edhe ju nuk na e kërkuat.

Por nuk kemi vetëm hallin tonë, por edhe hallin tuaj, o popull! Nëse djali i Fahriut zgjidhet deputet, atëherë populli i Qarkut të Korçës, korçarët, pogradecarët, kolonjarët, devollinjtë, do të bëhen pas 25 qershorit për pjesën tjetër të Shqipërisë ai që kemi qenë ne për Korçën, pra budallai i kombit. Korça njihet si djep i kulturës dhe qytetërimit në Shqipëri, tani e tutje do të bëhet djepi i budallallëkut. Ne kemi jo vetëm hallin tuaj, por edhe hallin tonë. Se nëse populli i Qarkut të Korçës vihet në rolin e budallait, atëherë brezat e ardhshëm me të drejtë do ta kenë të vështirë të dallojnë rolin tonë. Në kohën tonë ishin gjërat të ndara qartë. Nga njëra anë ishim ne budallenjtë shakaxhinj, nga ana tjetër ishte populli normal. Tani përzihen gjërat dhe populli e deklaron veten budalla shakaxhi duke bërë deputet njërin nga ne.

Se që të bësh djalin e Fahriut deputet kjo do të thotë që të bësh një shaka të madhe prej budallai, por aq të madhe sa të gjitha shakatë që kemi bërë ne budallenjtë e njohur në breza, po t’ i marrësh së bashku, nuk e arrinë dot. Nëse ndodh kjo ne heqim dorë nga emri “korçar”. Se ta mendosh thellë-thellë, të gjithë budallenjtë shakaxhinj të botës kanë nevojë për një popull, por asnjërit prej tyre nuk i duhet një popull budalla që merr rolin e tyre. Rolet janë të ndara.

Prandaj mendohu mirë o popull i Qarkut të Korçës për atë që do t’ i bësh vetes.

 

Me respekt

Stavri Maçoku, Taqo Babuci, Dulja i Imonikëve, Rakip Gërneta,  Doktori i Luleve,  Tataçi, Peçi Bajamka, Haxhi Gala, Syrja Biçikletari, Petrit Çakërri.

 

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Read previous post:
Surpriza në mitingun e PD/ Zv.Presidenti i PPE jep mesazh në gjuhën shqipe

Close