Kunati bisedon me Lulin dhe familjen për rezultatin e zgjedhjeve në parti

Kunati bisedon me Lulin dhe familjen për rezultatin e zgjedhjeve në parti

-Që do të fitojmë kjo është e sigurt, sepse jemi vetë edhe votues, edhe numërues. Por kemi një problem të madh.- Tha Kunati

-Çfarë problemi, -tha Luli pak i acaruar,- më duket se kohët e fundit ke nisur të më paraqitësh gjërat të vështira edhe atje ku nuk janë.

-I dashur mos i fol me këtë ton Erit, ai ta do të mirën, shqetësohet për ty.- Tha Aurela.

-Nuk e ve në dyshim këtë e dashur, por dëgjoje vetë se çfarë thotë, vetë do të votojmë, vetë do të numërojmë, e paskemi një problem të madh.- Tha Luli.

-Eri, edhe unë e kam të vështirë të gjej një logjikë te kjo që thua ti. –Tha Aurela.

-Politika motër e dashur nuk është shkencë ekzakte por bëhet me shifra, në fund të fundit. Dhe këto shifra duhet të jenë sadopak të besueshme. -Tha Kunati dhe u ngrit në këmbë, hodhi mbi tryezë disa letra, dhe tha:

-Këto janë rezultatet e vitit 2013 për zgjedhjet në PD. Atëherë, kur përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve parlamentare e kishte marrë përsipër vetë Saliu, në zgjedhjet në parti pas tyre, nga 120 mijë anëtarë partie  morën pjesë vetëm 41 532, pra më pak se 35%, dhe nga këta Lulin e votuan 80.38%, ose më saktë kështu e shpallëm ne rezultatin. Këto shifra nuk na i besuan as atëherë, imagjinoni tani që Luli ka humbur dy palë zgjedhje, vendore dhe parlamentare. Ja ky është problemi që dua të shtroj unë, -tha Kunati.

-Edhe Berisha më tha të mos e teproj shumë me rezultatin e fitores në zgjedhjet në parti, por mua m’ u duk se ma tha që të dobësojë pozitën time në parti.- Tha Luli.

-Në shtëpinë time nuk thuhet “Berisha”, por “Saliu”, ki parasysh dhëndërr i dashur, -kërceu Xhaferri.

-Më fal baba!- Tha Luli.

-O babi po lere tani se i mësohet goja dhe thotë “Saliu” edhe te partia ose kur të jetë në ndonjë televizion. Pastaj kush dëgjon fjalët e asaj familjes tjetër.- Tha Aurela.

-Si do të bëjmë?- Pyeti kunati.- Me atë rezultat që patëm në zgjedhjet në parti, në 2013, vështirë se mund të themi këtë herë për pjesëmarrjen se është më shumë se 25% dhe vështirë se mund të themi që Lulin e kanë votuar këtë herë më shumë se 60% prej tyre.

-Shifra skandaloze, -tha Aurela, -ti Eri e tepron më duket.

-Unë kam frikë se mos bëhemi fare të pabesueshëm,- tha Kunati,- se të gjithë do të bëjnë krahasimin e rezultatit të sivjetshëm me atë të vitit 2013, dhe dihet se as atë nuk  na e besoi askush.

-Ki parasysh se Eduard Selami më ka thënë se do 30% që ta njohë rezultatin. –Tha Luli.-Ai na duhet se iu jep legjitimitet zgjedhjeve. Por kërkon edhe postin e sekretarit të përgjithshëm.

-Atë Selamin mbaje afër, më duket djalë i mirë mua, djalë oficeri të Enver Hoxhës, -tha Xhaferri,-këta duhet ta marrin në dorë partinë. Që të mos bjerë shumë në sy kjo gjë kryetari le të jetë dhëndër oficeri.

-Këtu më ofendove babi, -tha Luli i përlotur, -unë e quaj veten djalin tënd.

-E di more bir e di, po thashë kështu për sytë e botës.-Tha Xhaferri i përlotur.

-Nuk është problem Selami ia japim 30 përqindshin që kërkon, edhe sekretar të përgjithshëm e bëjmë,  por ty nuk mund të t’ i japim 70% që mbeten.-Tha Kunati.

-Jo as unë nuk i dua,- tha Luli,- të mbeten disa vota dhe për kandidatët e tjerë.

-Si thua ti babi?- Pyeti Aurela.

Xhaferri u mendua pak dhe pastaj tha me ton të prerë prej ushtaraku:

-Që rezultati këtë herë duhet të jetë më i ulët se në 2013, kjo nuk diskutohet. Por për mua ju keni dhe një problem tjetër.

-Çfarë babi?- Pyeti kunati.

-Por ja more bir, gjykoje vetë. Mirë se këtë herë të themi ia hodhët duke i ulur shifrat e fitorës së Lulit, por në vitin 2021 çfarë do të bëni, kur të vijnë përsëri zgjedhjet në parti, pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti të cilat ne këtu e dimë me siguri se Luli do t’ i humbë?

Familjen e kapi një e qeshur e madhe pas këtyre fjalëve dhe më shumë nga të gjithë qeshte Luli.

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Read previous post:
Rikthehet pas shumë vitesh ish gruaja e Edi Ramës/Kisha nevojë për kohë e siguri, tani jam gati

Close