Intervista e plotë- Rrëfehet Blendi Fevziu/Mesazhi i gruas kur i bërtisja Artan Lames “Pushoooo”!

Intervista e plotë- Rrëfehet Blendi Fevziu/Mesazhi i gruas kur i bërtisja Artan Lames “Pushoooo”!

“Pushooo… Po flet Fevziu!” Jo vetëm për shkak të batutës së tij gjatë një emisioni me Artan Lamen, të kthyer me kohën në një hit të rrjeteve sociale, por edhe për shkak se të gjithëve na ka ndodhur të paktën një herë të na kenë thënë ‘pusho’ gjatë kohës që në transmetim shfaqet “Opinion”-i i Fevziut; zgjodhëm që të kemi këtë titull për kopertinën e 20-vjetorit të programit më jetëgjatë (pas atij të Flamur Topit) dhe me më shumë autoritet në Shqipëri.

PJESA 1

20 vjet më pas, a keni bërë një bilanc me veten, ku jeni dhe ku do donit të ishit?
B.F: Jo! Kur emisioni nisi, nisi si diçka e shpejtë dhe e përkohshme. Nuk mendoja që do shkonte më shumë se një sezon, por sivjet mbushi 20 të tilla. Nuk bëhen asnjëherë bilance për gjëra që kanë ecur pa plan!

Si do të jetë festa e jubileut të “Opinion”? Sa të ftuar, detajet?
B.F: Ka një keqkuptim, të gjithë mendojnë për pritjen dhe e quajnë atë një festë. Më shumë se sa ajo, “Opinion” do të ketë një transmetim maratonë për afro 20 orësh, ku do synojmë të sjellim gjithë rrugëtimin tonë, duke vënë theksin tek kritika ndaj vetes dhe autoironia. Pritja do jetë vetëm një detaj i kësaj maratone, as 10 % e saj. Por meqë doni detaje, pritja do jetë një mbledhje e protagonistëve të emisioneve tona, nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, afro 600 vetë që do jenë të Ballkonin e Korpusit Qëndror të Universitetit. Do jetë pritje, emision, e njëkohësisht edhe një panair i madh i kulinarisë dhe verës shqiptare. Shefat më të mirë në vend, edhe ata shumë herë protagonistë në emision, do servirin produkte shqiptare të stilizuara ndërsa 5 kantinat më të mira në vend verën e tyre autentike. Transmetimi do të jetë ‘live’ në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Shfletova foto dhe lajme për “Opinion”, e keni nisur në një studio modeste (shumë të mirë për kohën), kishit dhe flokë madje…Sa e lodhshme është të merresh me politikën dhe politikanët shqiptarë?
B.F: Për një gjë jam i sigurtë, është shumë më e lehtë se sa të merresh me njerëzit e shoubizit. Në 20 vjet emision asnjë politikan, kurrë nuk ka ardhur me vonesë të pajustifikuar. Kur nisëm emisionet pak më të hapur, që emisionin e parë dy këngëtare erdhën me vonesë dhe ngelën jashtë studios. Politikanët janë të ashpër, por nuk kanë teka. Mbi të gjitha, kanë shumë më tepër sens realizmi se sa njerëzit e spektaklit.

A të jep famë politika, cilado qoftë forma e angazhimit me të – edhe si gazetar – a besoni se do ishit gazetari më i famshëm në Shqipëri sikur “Opinion” të mos ishte emision politik, por i një zhanri tjetër?
B.F: Nuk e di këtë, nuk e kam menduar kurrë. Pastaj çfarë është fama Eraldo? Ç’famë mund të ketë një njeri në një vend me 2 milion banorë, ku të gjithë njohin njëri-tjetrin. Ku o janë kushërinj o komshinj. Kjo puna ë famës vlen për ca vende ku ata që sheh në tv nuk i sheh dot kurrë në rrugë, por jo këtu.

Blendi, ideatori dhe drejtuesi i “Opinion”, a ka përfituar në një formë apo në një tjetër nga politika? A ka humbur prej saj?
B.F: Ky është një raport dhënie dhe marrjeje. Kanë ndodhur padyshim të dyja, kam dhënë dhe kam marrë nga politika.

Kohë pas kohe ka pasur legjenda urbane që Blendi Fevziu ka pushtet tek politikanët e rëndësishëm, se i dëgjohet fjala, se sugjeron njerëz në poste të larta… A ka ekzistuar me të vertet ky lloj pushteti për Blendin?
B.F: Jo, nuk besoj. Dhe as më është dashur. Opinione mund të kem dhënë, por jo vendime. Por prania në emision dhe suksesi në të ka ndikuar në karrierën e shumë njerëzve!

Sa ndikim keni ju në politikën që bëhet sot?
B.F: Unë personalisht nuk besoj. Emisioni padyshim që ka ndikimin e tij. Lidhur me temën që zgjedh, audiencën që ka dhe trajtimin që bën.

A jeni ju i vetëdijshëm për ndikimin që keni?
B.F: Nuk e kam menduar këtë gjë asnjëherë. Unë bëj emisionin. Mundohem të jetë më i miri dhe më i pari. 4 vjet më parë, një ekip amerikan i kontraktuar nga një parti politike nënvizoi në fokus grupe faktin që shumë prej atyre që pyeteshin kishin si bisedë dite diskutimin e një natë më parë në Opinion. Kjo ishte hera e parë që ne kuptuam ndikimin që ka emisioni.

Si i ruani balancat mes pozitës dhe opozitës?
B.F: Si puna a tij akrobatit që ecën në tel. Më parë ka qenë më e vështirë. Tani e kemi shumë më të thjeshtë.

Sa miqësi kanë lindur me personazhet që keni intervistuar?
B.F: Fjala miqësi është shumë e madhe. Unë besoj se miqësia e vërtetë është ajo e viteve të gjimnazit dhe fakultetit ku ti shoqërohesh thjesht nga dëshira dhe pa asnjë influencë interesi. Nuk di të them miqësi, por me shumë prej atyre që kam intervistuar kam pasur raporte shumë të afërta. Disa prej tyre i kam njohur shumë shumë mirë.

Sa prej atyre që keni intervistuar i keni njohur përpara se të ishit Blendi Fevziu i “Opinion”?
B.F: Shumë prej tyre. Ka personazhe të rëndësishëm sot, që i kam njohur si shokë klase apo si miq të Tiranës së fundviteve ’80 dhe fillimit të ’90. Ilir Meta ka qenë një prej tyre. Banonim në një lagje dhe qëllonte që shkonim në shkollë bashkë. Ben Blushi ka qenë miku im më i afërt i studimeve dhe një mik i rëndësishëm edhe sot. Andi Bushati po ashtu. Sokol Olldashin e kam njohur kur erdhi student në Tiranë dhe Lulzim Bashën kur ishte gjimnazist tek Sami Frashëri. Ka shumë të tjerë që i kam njohur pa mbërritur në studion time dhe pa i njohur publiku. Thashë edhe më lart, vend i vogël ky…

A keni humbur miq për shkak të “Opinion”?
B.F: Po, në shumë raste!

Kush janë këta shumë?
B.F: Kur them shumë ka mjaft emra. Ka njerëz me të cilët distancohesh dhe nuk ke më frekuetimin e parë. Ka të tjerë me të cilët nuk komunikon më. Si rasti i Berishës.

Berisha dhe Lubonja, do të jenë pjesë e 20-vjetorit? Të vjen keq që ata kanë vendosur t’i thonë JO studios tënde?
B.F: Padyshim që do të jenë. Kanë konfirmuar të dy intervista me këtë rast dhe në transmetimin tonë do jenë. Padyshim që më vjen keq për të dy, por ka qenë vendimi tyre. Kur vendimin e dikujt nuk mund ta ndikosh dhe ndryshosh, duhet ta respektosh. Kjo po ndodh edhe në raportin tim me ta.

Intervista më e vështirë që keni bërë këto 20 vjet?
B.F: Ka shumë të tilla. Sidomos prej rrethanave. Mbaj mend në 2002 në një moment shumë delikat një intervistë me Ali Ahmetin. E takuam më Malësinë e Tetovës dhe rrugës ndërruam disa herë makina. Rruga ishte plot me ushtarë që kërkonin pikërisht Ali Ahmetin. Kasetën e futëm thellë në makinë dhe arritëm të dalim në Kosovë. Një tjetër ka qenë ajo me Mbretëreshën Geraldinë në Afrikën e Jugut në 1999. Ajo e ndërpriste shpesh intervistën për të vendosur maskën e oksigjenit. Unë doja të merrja sa më shumë, dhe ajo po më jepte sa mundej. Nuk do ta harroj kurrë mundimin e asaj gruaje fisnike, por edhe kënaqësinë që po fliste për një televizion në Shqipëri.

Intervista për të cilën ju është dashur të përgatiteni më shumë?
B.F: Çdo intervistë. Sidomos ato politike. Intervista është gjinia më e vështirë e medias vizive. Për një intervistë të mirë të duhen së paku 4 – 5 ditë kohë.

Personazhin më të vështirë që keni hasur për të futur në studio?
B.F: Për të qenë i sinqertë askush nuk ka bërë të vështirin me ne në “Opinion”. Mund të ketë pasur diskutime apo hatërmbetje, por vështirësi të mëdha asnjëherë.

Ka pasur nga ata që kanë braktisur diskutimin?
B.F: Po, së paku në 3 raste. I pari ka qenë Neritan Ceka që në 2005 iku nga studioja në një debat për kulturën. Më 2015 iku Paskal Milo pas një debati me Mark Markun dhe vjet iku Besnik Aliaj pas një debati me Niko Peleshin.

“Opinion” dhe gezetaria moderne, si rrinë tek njëra-tjetra? Kam parasysh gazetarinë e rrjeteve sociale…

B.F: Ne po i referohemi gjithnjë e më shumë rrjeteve sociale. Ka shumë raste që gjejmë aty personazhe interesantë, apo ide që nuk kanë qenë në vëmendjen tonë. Por mbi të gjitha masim mënyrën se si lëviz interesi i publikut.

Si jeni rritur ju dhe “Opinioni”, sa keni mësuar nga njëri-tjetri?
B.F: Nuk di ta them këtë gjë.

Çfarë do kishit dashur të bënit ndryshe?
B.F: Nuk e kam menduar këtë asnjëherë.

Cili besoni se ka qenë kulmi i “Opinion” këto 20 vjet apo nuk e keni arritur akoma kulmin?
B.F: Jo, unë besoj se ka qenë debati Nano – Berisha në Janar 2002. Isha 32 vjeç atëherë dhe debati pati një jehonë në gjithë botën shqiptare dhe në vendet fqinje, Itali, Greqi. Më shumë se sa falë punës sime ai ishte produkt i rrethanave specifike që vështirë se ripërsëriten më. Ndaj them që ai ishte kulmi!

A keni pishmane që angazhimi në punë ju ka privuar nga jeta personale, nëse ju ka privuar natyrisht?
B.F: Nuk besoj se ka qenë puna që e ka bërë këtë. Nuk kam qenë kurrë i privuar nga jeta familjare, por kam qenë më pak prezent në fëmijërinë e vajzës së madhe. I kam kushtuar më pak kohë, sepse isha më i ri dhe më në lëvizje. Por asnjëherë puna. Unë bëj një emision 4 herë në javë, botoj një libër thuajse çdo vit, udhëtoj dhe shpenzoj goxha kohë më vajzat dhe gruan. Ndaj them që nuk ka qenë emisioni që më ka penguar./revistawho

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Read previous post:
Foto/ Kafshët më jetëgjata në planet

Close