Letra e dytë e Reis Maliles për Ditmir Bushatin

bushati malile
Letra e dytë e Reis Maliles për Ditmir Bushatin

I dashur Ditmir

Meqënëse ministria jote ndryshoi emër me rastin e krijimit të qeverisë së re të shokut Edi, po të shkruaj përsëri, me porosi të shokut Enver. Emri i ri i ministrisë tënde, Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme i pëlqeu shumë shokut Enver, i cili tha:

“Sa mirë që e paska gjetur Edi, ky emër shërben vetëm për të treguar distancim ndaj Amerikës, të cilën Edi dhe Ditmiri thonë se e kanë aleatin e parë strategjik, se për të hyrë në Bashkimin Europian nuk bëhet fjalë. Imagjino Reis, kur ambasadori amerikan në Tiranë të takohet me Ministrin e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë e ky djali i shokut Sulë t’ i thotë se Amerika është partneri i parë strategjik i Shqipërisë! E kanë trashëgim shakanë në atë familje.”

“Sa hollë që i shikon gjërat ti shoku Enver!”, i thashë unë.

“Shkruaji përsëri djalit të Sulës, Reis”, më tha shoku Enver dhe unë po të shkruaj.

Emri i ri i ministrisë tënde, Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, më kujton emrin që i dhanë dikur në botë Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme në kohën e miqësisë sonë me Kinën e Mao Ce Dunit. Atëherë Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme e quanin Ministria e Kinës dhe Punëve të Jashtme.

Domethënë “Kina” nuk ishte tamam politikë e jashtme, por kishte të bënte me punët e brendshme tonat. E njëjta gjë vlen edhe për emrin e ri të ministrisë tënde. Nga emri duket se “Europa” nuk ka të bëjë tamam me politikën e jashtme, por është diçka më e afërt me punët e brendshme. Aq sa duket se gati-gati çështjet e Europës duhet t’ i kalojnë shokut Fatmir Xhafa në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Por së paku marrëdhëniet tona me Kinën ishin konkrete dhe ne ishim bërë pjesë e tregut të brendshëm dhe të jashtëm kinez. Kina e shokut Mao na ndihmonte ekonomikisht për arsye ideologjike në atë masë që ne shqiptarët të kishim një nivel jetese më të të lartë se mesatarja e Kinës e asaj kohe.

Kurse marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian sot janë një tymnajë e madhe. Në krahasim me ndihmën ekonomike që merrnin ne dikur nga Kina, në përpjestim me fuqinë ekonomike të Kinës së asaj kohe dhe të BE-së sot, Shqipëria sot merr një ndihmë shumë herë më të vogël nga BE se ne nga Kina.

Por, i dashur shoku Ditmir, megjithë këto vërejtje, na pëlqeu shumë emri i ri i Ministrisë tënde. I thashë shokut Enver:

“Imagjino shoku Enver, tani në shtator është në New York sesioni vjetor i Asamblesë së OKB-së dhe djali i shokut Sulë do të shkojë si Ministër i Europës dhe i Punëve të Jashtme. E tërë bota do të kuptojë se qeveria shqiptare po shpreh me anë të ministrit të saj të Punëve të Jashtme distancimin e Shqipërisë nga Amerika.”

“Ja këto shkruaja, Reis”, më tha shoku Enver.

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

X
Artikull i Rekomanduar:
droge 2]
Qafë-Thanë/ Policia kufitare ndalon 2 shtetasit e huaj që po nxirrnin drogë nga Shqipëria

Close