Olta Xhaçka i përgjigjet Prokop Murrës

Olta Xhaçka i përgjigjet Prokop Murrës

I dashur xhaxhi Prokop!

Të falenderoj shumë për letrën me këshilla që më ke dërguar. Këshillat janë gjithmonë të vlefshme kur vijnë nga një paraardhës me përvojë në linjë partie dhe qeverie. Detyra ime si ministre është ndryshe nga çfarë ishte kjo detyrë në kohën tënde. Që ta kuptosh këtë ti xhaxhi Prokop po të jap disa shembuj. Nëse në kohën tënde nuk do të punonin radarët për një minutë në të gjithë vendin, bëhej name dhe ty të ikte koka. Në rastin tim bëhet name dhe ka rrezik të ikë koka nëse punojnë radarët qoftë edhe një minutë. Kjo për faktin se në kohën e sotme mosfunksionimi i radarëve është i lidhur drejtpërdrejt me të ardhurat e eksportit, atë që quhet GDP e zezë. Nëse funksionojnë radarët ne na dëmtohet shumë eksporti i hashashit, malli kryesor i eksportit tonë.

Shembulli i dytë ka të bëjë me tunelet e ushtrisë. Në kohën tënde nuk të zinte gjumi për gjendjen në të cilën ishin tunelet dhe për materialet luftarake që gjendeshin brenda tyre. Sa tunele ke inspektuar ti xhaxhi Prokop. Sot unë nuk duhet ta di fare se çfarë ka në tunele, sepse ato janë mbushur me hashash. Nëse unë kërkoj një raport për tunelet që administron ushtria, kryeministri ynë shoku Rama, do të thotë “Na u çmend Olta, ne e dinim vajzë të mençur!”

Sa për atë që thoni ju xhaxhi Prokop se unë jam një ministre e Mbrojtjes pa ushtri, kjo gjë nuk më prish punë. E përse më duhet ushtria mua kur kam një buxhet të ministrisë. Me atë buxhet mund të bëj tendera. Nga ato tendera dalin para për mua. A ka më mirë se të bësh tendera pa pasur ushtri. Paraardhësja ime e gjeti ushtrinë me 12 mijë vetë dhe e shkurtoi në 8 mijë. Për mua edhe kaq janë shumë. Sepse duan të gjithë rroga, pasi kemi ushtri profesioniste tani, jo me rekrutë. Me paratë e atyre rrogave mund të bënim punë të tjera. Kur marrin rrogën çdo muaj më duket sikur po ua jap nga xhepi im. Por ka një të mirë se ushtria duhet veshur dhe këtu mund të bëjmë ndonjë biznes me burrin tim që mund të rikthehet në biznesin e veshjeve me ndonjë kompani në emër të ndonjë të afërmi. Jo se fitohet ndonjë gjë shumë e madhe me këto uniformat ushtarake (domethënë fitohet por unë që te firma “Gjallica” jam mësuar me thasë me para), por me materialet e tyre mund qarkullojmë edhe një mall tjetër shumë fitimprurës.

Që të të them të vërtetën, kështu me zemër në dorë, i dashur xhaxhi Prokop, mua kjo puna si ministre e Mbrojtjes më duket si atëherë kur isha bashkëpronare e firmës piramidale “Gjallica”, si e fejuara e djalit të Gani Kadrisë, dhe futja duart për të marrë sa para të doja në arkën e firmës, pa pasur përgjegjësi për detyrimet e saj. Ishte shumë funny.

Sa për atë punën e qillotave edhe mund t’ i vesh ndonjëherë për festa, se do të zbavitet kryeministri që i ka qejf këto shakara. Dhe ai kur e zbavit të jep shpërblime. Ku i dihet, mbase më jep edhe një pjesë të biznesit të plehrave që do të vijnë nga Europa për t’ i futur në tunelet e ushtrisë. Se është biznes i madh ai. Po ku kupton ti xhaxhi Prokop nga këto gjëra, nuk kishte të tilla në kohën tënde.

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Read previous post:
Mali i Zi nuk pritet ta rinegociojë kufirin/ Kosova përballë një konflikti të ri

Close