Ekzekutimi i parlamentarëve nga komunistët / Dervishi tregon të vërtetën

kastriot dervishi
Ekzekutimi i parlamentarëve nga komunistët / Dervishi tregon të vërtetën

Pas nderimit nga foltorja e Kuvendit nga politikanët për grupin e deputeteve te asgjesuar 70 vjet më parë ka komentuar edhe ish- drejtori i Arkivit, Kastriot Dervishi.

Dervishi shkruan se ceremonia në Kuvend nuk kishte ndonjë gjë që të ngelte në kujtesë. Sipas tij, autoriteti për shqyrtimin e dosjeve nuk ka asnjëherë kohë të lexojë dhe kuptojë gjërat që shkruhen nëpër dosje dhe për këtë shkak publiku nuk kupton gjë dhe se ata mund të mendojnë se të dënuarit e kanë merituar ekzekutimin me vdekje.

Më tej, ish-drejtori i arkivit shkruan se janë trashëguar vetëm dy dosje formulare, si edhe këto dosje nuk kanë lidhje me këtë proces. Gjithashtu, ai shprehet se dosjet janë manipuluar nga hetuesia prandaj dhe për të kuptuar këtë duhen të krahasohen dokumentet si edhe çdo informacion tjtetër që lidhet me këto dokumenta.

“Janë trashëguar vetëm dy dosje formulare, por edhe ato nuk kanë lidhje me këtë proces sepse ai është sajuar me të shpejtë, si dhe dosja hetimore-gjyqësore nr.2224.
Ndërsa dosjet formulare nuk kanë asgjë të rëndësishme, dosja hetimore-gjyqësore është e manipuluar nga hetuesia. Fare pak fletë të saj bartin të vërtetën mbi personat që u dënuan me vdekje apo me privim lirie. Për ta kuptuar këtë të vërtetë, kërkohet shumë energji, duhen krahasuar dokumentet, si dhe çdo informacion tjetër në lidhje me këtë çështje në arkiva të tjerë. Këtë dosje që prej vitit 1992 e kanë kërkuar për ta lexuar familjarët e të dënuarve. Për aq sa unë kam pasur në dorë, në të gjitha rastet, duke e njohur teknikën e hetuesisë, u kam sqaruar me durim se fare pak të vërteta ka brenda dosjes dhe nuk duhet t’i paragjykojnë të afërmit e tyre me ato që kanë lënë hetuesit e diktaturës.
Hetuesia në shumicën e saj është e manipuluar. Është përdorur tortura dhe mjetet e tjera shtrënguese me kërcënime për jetën e familjarëve. Në të gjenden fare pak deklarata të vërteta. Madje në një rast është përdorur djali kundër babait.”, – shkruan Dervishi.

Sipas shkrimit të Dervishit edhe procesi gjyqësor është i pavlefshëm, si dhe është përbërë nga manipulimi i deklaratave të 20 të pandehurve dhe e vërteta mund të gjendej vetëm nga të akuzuarit të cilët nuk kanë pranuar asnjë akuzë.
Gjithashtu ai ka dhënë dhe dy shembuj.

“Edhe procesi gjyqësor është gati i pavlefshëm. Përbëhet nga manipulimi i deklaratave të 20 të pandehurve. Vetëm nëpërmjet deklaratave Shefqet Bejës, Selaudin Totos, Ramë Markut dhe Abdyl Kokoshit, të cilët nuk kanë pranuar asnjë akuzë, mundet të lexohet e vërteta. Ja dy shembuj të thjeshtë:
-Gjatë zhvillimit të gjyqit, Xhevat Xhafa mohoi të ishte kryetar i komitetit të Kavajës. Mirëpo dy të pandehur të tjerë, thanë që ai ishte. Në përfundim Xhafa tha: “Përderisa thonë shokët, paskam qenë kryetar”.
-Ramë Marku deklaroi se me Tefik Deliallisin nuk flisnin prej vitit 1934 për çështje hasmërie, ndërsa akuza pa e ditur këtë histori të tyre i kishte bërë bashkëpunëtorë në “organizatë”.

Nuk ka pasur kurrë “grup deputetësh”, por proces të parë. Është sajesë e Sigurimit ky format sepse procesi që përfundoi më 27 shtator 1947 është rastësor për sa i takon bashkimit të personave që u dënuan dhe atyre që vdiqën gjatë hetuesisë si deputeti Kolë Kuqali, Ali Begeja, Baba Myrteza Paja, Ali Begeja, etj. Ai është pjesë e arrestimeve të nisura nga viti 1946 kundër inteligjencies së vendit. Ata që ishin deputetë nuk përfaqësonin opozitën sepse ishin deputetë të Frontit. Në gjyq Shefqet Beja, ndër të tjera deklaroi:
“…thamë që t’i kundërshtonim (reformat-shënim) në parlament, por nuk vendosëm, kështu këto pikëpamje tona nuk i kemi parashtruar në Kuvend asnjëherë, pasi nuk e gjenim të nevojshme dhe nuk i konkretizonim në mos tonë me qenë se pikëpamjet tona nuk pajtoheshin”.

Dhe një përshtypje e fundit. Në anën e mëngjër pashë dy deputetë që janë drejtpërdrejt nipat e dy hetuesve kryesorë të këtij procesi. Në legjislaturën e kaluar po anën e mëngjër ishte djali i kryehetuesit e kryexhelatit të procesit në fjalë. Ujërat rrjedhin gjithnjë atje ku duhet.”, – përfundon Dervishi

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Artikull i Rekomanduar:
dzfs
Foto/ Befason Ariana

Close