“Ushtarët” e LSI-së falimentuan Hekurudhën

“Ushtarët” e LSI-së falimentuan Hekurudhën

Menaxhimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës, në katër vitet e drejtimit të saj nga LSI, ka qenë nën nivelin mesatar dhe bashkëkohor. Si rrjedhojë, performanca financiare dhe teknike,e kësaj ndërmarrjeje, dikur tepër potente, ka qenë në nivelet më të ulëta të periudhës 27-vjeçare të saj.

Kjo situatë ka krijuar gjendje tejet të rënduar financiare të këtij institucioni me rëndësi të madhe ekonomike, e cila është shoqëruar edhe me bllokime të aktivitetit të transportit hekurudhor.

Nga burime të raportuara prej gazetës “Sot” bëhet me dije se nuk ka ndodhur asnjëherë që të ndërpritet transporti i udhëtarëve në Shqipëri, jo vetëm në ditë të veçanta, por edhe për një periudhe dy-mujore. Po ashtu, mësohet se nuk ka ndodhur asnjëherë që Drejtoria e Hekurudhës të mos paguante sigurimet shoqërore për 3-4 muaj, gjë që pengonte marrjen e pensionit të njerëzve që mbushnin moshën për largimin nga puna.

Nga ana tjetër, thekson gazeta, gjatë vitit të kaluar hekurudha për një periudhë jo të vogël kohore u bllokua në aktivitetin e saj, që e përkthyer në terma juridik, falimentoi, pasi nuk kishte aftësi paguese nëpër banka sepse ishte e bllokuar me borxhet që ajo krijoi.

Drejtuesit e saj lësëistë nuk ndërmorën asnjë masë për balancimin e nivelit të të ardhurave me shpenzimet që kryheshin, duke mos e vlerësuar hekurudhën si një shoqëri biznesi. Kjo situatë, sidomos, ulja e trafikut të mallrave, erdhi si pasojë e punësimeve të militantëve në këtë sektor. Të punësuarit nuk ia thonin fare nga puna, veçanërisht në transportin ndërkombëtar të mallrave. Ata zëvendësuan specialistë me një eksperiencë 30-vjeçare në këtë sektor, të cilët u hoqën pa asnjë arsye nga detyra e tyre, por vetëm për interesa partiake të LSI-së./ CityNews

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Read previous post:
Arrestohet i shumëkërkuari nga Italia

Close