Atentati me eksploziv në Shkodër/ Transplantim i përvojës së ISIS-it në Shqipëri

Atentati me eksploziv në Shkodër/ Transplantim i përvojës së ISIS-it në Shqipëri

Lulzim Kulla një kriminel relativisht i famshëm shkodran mbeti i plagosur rëndë në një atentat me lëndë plasëse. Deri këtu asnjë gjë e re, sepse atentatet kundra personave e sidomos kundra pronës me lëndë plasëse janë dicka thuajse e përjavshme në Shqipëri sidomos në territorin e Bashkisë Krujë. Faktikisht atentati i së shtunës në Shkodër ofron një risi të frikshme. Bicikletat e mbushura me lëndë plasëse u përdorën për herë të parë në fillim të viteve 50-të të shekullit të shkuar nga Vietminhët kundra francezëve në Vietnam (bike bombs). Makinat kurth (car bombs) janë përdorur gjerësisht që nga Cosa Nostra siciliane e deri nga grupet terroriste të majta e të djathta, fetare apo afetare. Në Shkodër për herë të parë në Shqipëri e në Europë, madje për herë të parë në një vend anëtar të NATO-s u përdor një motorcikletë bombë në atentatin kundra Lulzim Kullës.

Motorcikletat bombë

Përdorimi i motorcikletave si kurthe eksplozive (explosive booby traps) është një risi pak a shumë e vitit 2017. Ato janë përdorur gjerësisht nga Daesh në Betejën e Mosulit dhe në Betejën e Rakas kundra trupave të koalicionit antiterror. Po nga terroristët e ISIS-it të tilla motorcikleta bomba janë përdorur në Afganistan (3 dhjetor 2017 në stadiumin e Xhelalabadit d.mth. Shkodra u shndërrua në Xhelalabadin shqiptar), në Pakistan (në Lahor 24 korrik 2017 një motorciklist kamikaz), në Tajlandë (në qytetin Padang Besar), në Ukrainë ( më 26 tetor 2017 motor-bomba u vu nga specialistë të GRU-së ruse me përvojë siriane kundra deputetit ukrainas anti rus e pro amerikan Igor Mosiychuk).

Është plotësisht legjitime pyetja: Si mbërriti në Shkodër përvoja e ISIS-it nga Siria  dhe Iraku? Kemi të bëjmë me një specialist lokal, që e ka mësuar këtë “zanat” vrastar nga interneti? Larg qoftë mos ndoshta një apo disa veteranë të Mosulit dhe Rakas kanë mbërritur në Shqipëri, për të vënë në dispozicion të malavitës sot dhe pse jo politikës nesër “knoë-hoë”-in e tyre nga betejat në Lindjen e Mesme?!?!?!?! Përdorimi i eksplozivit të tipit T 4 (RDX apo heksogjen sipas terminologjisë së vjetër sovjetike) tregon, që njëlloj si në Irak e Sirir të tillë “zanatlinj” përdorin me fantazi dhe efikasitet atë cka mund të gjejnë në “tregun” lokal të materialeve vdekjeprurëse.

Shpresojmë që me këto rradhë t’u tërheqim vëmëndjen “trimave” të Apex-ministrit Fatmir Xhafa. Uniformat blu faktikisht sot ishin shumë të zënë me festimin e 105 vjetorit të formimit të policisë shqiptare, kështu që nuk ia kishin fort ngenë motor-bombave, kësaj risie vrastare, që ka shumë të ngjarë të na ketë ardhur peshqesh nga Lindja e Mesme! Urojmë që Sokol Bizhga nesër të jetë sa cereku efikas krahasuar me kapidan Sali Vranishtin e 105 viteve më parë!/ GJERGJ THANASI

Lini një koment

Adresa juaj e email nuk do te publikohet.

Read previous post:
Shqiptari shkëlqen në Angli / I jep fitoren Ipswichit

Close